Rekordi i ceremonive martesore ka kulmuar në Pollog e Kërçovë gjatë kësaj periudhe. Me mijëra dasma numërohen të jenë organizuar nga mesi i korrikut e të tjera janë të rezervuara deri për në fund të këtij muaji.
Mes tyre ka edhe bankete për fejesa, syneti, të cilat po ashtu i ngjajnë një dasme nga salltanetet dhe euforia e festimit. Në shumë prej qyteteve shqiptare – si Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Kumanovë, Dibër e të tjera, dasmat kanë nisur pas përfundimit të muajit të Ramazanit dhe ardhjes së emigrantëve nga jashtë. Kjo e shpjegon edhe fluksin e madh gjatë kësaj periudhe dhe intensitetin e tyre.
Paratë derdhen lumë dhe “dasma” e vërtetë në këtë periudhë është për pronarët e restoranteve, të dyqaneve të luleve e veshjeve, sallonet e bukurisë e të tjera, të cilët gjatë kësaj periudhe fitojnë më shumë sesa gjatë tërë vitit.
Për shembull, në Kërçovë, në media shkruhet se mbi njëzet objekte hotelerike janë të prenotuara çdo ditë për mbledhime familjare dhe kostoja e dëfrimit i kalon pesë milionë eurot. Në Kërçovë, ashtu si edhe në qytetet e tjera, paratë nuk kursehen kryesisht nga dasmorët që vijnë nga jashtë dhe që i rezervojnë muajt e verës për të kaluar pushimet në vendlindje dhe njëherazi për të organizuar ceremoni të këtij lloji.
Një emigrant nga Zvicra thotë se edhe pse koha e pushimit është e shkurtër, shfrytëzohet në maksimum.“Nuk rrimë më shumë se një muaj në vendlindje dhe gjatë kësaj periudhe, mundohemi që t’i kryejmë të gjitha aktivitetet e planifikuara, që janë organizimi i dasmave dhe prania në të gjitha gëzimet e tjera familjare të më të afërmve dhe të shoqërisë. Kështu që ndodh që brenda ditës të shkojmë deri në tre dasma.
Por jemi shumë të kënaqur, pavarësisht sforcimit që krijohet nga gostitë e përditshme”, thotë Veli Ramadani, emigrant në Zvicër nga Kërçova. Meqenëse në qytete më të vogla se Kërçova, numri i restoranteve është më i vogël sesa në qytete të tjera si Tetovë apo Gostivar, kapacitetet plotësohen duke improvizuar me çadra e tavolina në ambiente të hapura për të përmbushur nevojat e mbi 500 dasmorëve. Nga numri i madh i dasmave gjatë muajve të verës jo vetëm restorantet, por edhe grupet muzikore, orkestrat, këngëtarët, butikët, sallonet e bukurisë, dyqanet e luleve, fotografët e kameramanët, studiot e të jerm kanë më shumë punë se gjatë të gjithë muajve të tjerë të vitit. “Falë punës këto ditë e nxjerrim fitimin e gjithë vitit, edhe për ato periudha që nuk ka thuajse fare punë.
Megjithë krizën, ato që vijnë nga jashtë janë shumë bujarë dhe jemi shumë të kënaqur nga paratë që i nxjerrim në këtë periudhë”, thotë një orkestrat. Një fotograf nga Kërçova ka bërë edhe një përllogaritje të numrit të dasmave, bazuar tek prenotimet e bëra. “Gjatë këtij muaji punojmë sa për të gjithë vitin. Unë së bashku me kolegët jemi të rezervuar për 30 dasma, që i bie një dasmë në ditë. Sipas llogaritjeve tona, në rajonin tonë vetëm gjatë një muaji do të bëhen mbi 500 dasma. Madje, 20 restorante të reja të ndërtuara enkas për dasma janë të zëna çdo ditë.
Dhe e gjithë kjo po ta llogarisësh në të holla – i kalon pesë milionë euro”, thotë fotografi Faton Ajdini. Në këtë rajon, dasmat shoqërohen edhe me aktivitete të tjera sportive, si mundjet e pehlivanëve, kros, e të tjera. Fituesit në këto gara fitojnë për vendin e parë buall, për të dytin dash dhe ata në vendin e tretë – një jorgan. (KOHA)
Keine Antworten